Një person ka mbetur i plagosur pas një konflikti të ndodhur mbrëmjen e kësaj të enjteje në zonën e lodrave në Shëngjin.
Sipas Policisë, rreth orës 21:30, dy shtetas janë përfshirë në një sherr me sende të forta, ku është dëmtuar shtetasi me iniciale M. P. Ai është transportuar në Spitalin Rajonal të Lezhës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme të efektivëve, është shoqëruar autori i dyshuar, shtetasi me iniciale A. Ll. Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar një armë sportive zhurmuese, e cila dyshohet se mbahej prej tij.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon veprimet nën drejtimin e Prokurorisë për të zbardhur shkaqet e konfliktit dhe për të dokumentuar plotësisht ngjarjen.


