Më 23 korrik 1649, në Urbino të Italisë, lindi Gjon Françesk Albani, i njohur më vonë si Papa Klementi XI, një nga figurat më të rëndësishme të Kishës Katolike në fillim të shekullit XVIII dhe pontifiku i vetëm me prejardhje arbëreshe.
Ai rridhte nga familja fisnike Albani, me origjinë nga Arbëria, e cila ishte vendosur në Itali pas emigrimeve të shkaktuara nga pushtimi osman i Ballkanit. Familja ruajti identitetin dhe kujtesën e prejardhjes së saj arbërore, duke fituar një rol të rëndësishëm në jetën politike dhe fetare italiane.
Pas përfundimit të arsimit fillor, në vitin 1660 Albani u vendos në Romë, ku ndoqi studimet në Kolegjin Romak. Ai studioi gjuhët klasike dhe drejtësinë, u diplomua në vitin 1668 dhe dy vjet më vonë nisi karrierën kishtare.
Gjon Françesk Albani u zgjodh Papë më 23 nëntor 1700, duke marrë emrin Klementi XI. Ai udhëhoqi Kishën Katolike deri më 19 mars 1721, një periudhë mbi dy dekadash e shënuar nga sfida të rëndësishme politike dhe fetare, mes tyre Lufta e Trashëgimisë Spanjolle dhe marrëdhëniet e ndërlikuara të Selisë së Shenjtë me fuqitë evropiane.
Pontifikati i tij ka një rëndësi të veçantë edhe për historinë shqiptare. Me nismën dhe mbështetjen e tij u mbajt në vitin 1703 Kuvendi i Arbrit, i pari kuvend kombëtar kishtar shqiptar, i cili vendosi reforma të rëndësishme në organizimin e Kishës Katolike në trojet shqiptare dhe trajtoi çështje dogmatike, kanonike e baritore. Në atë periudhë, klerikë nga trevat shqiptare i kërkuan Papës mbështetje jo vetëm fetare, por edhe politike përballë vështirësive të kohës.
Papa Klementi XI ndërroi jetë më 19 mars 1721 në Romë, duke mbetur një nga figurat më të shquara me prejardhje arbëreshe në historinë e Selisë së Shenjtë dhe një personalitet me lidhje të veçanta me trashëgiminë shqiptare.


