Thimio Rubati, i njohur edhe si Sandër Rubati, është personi që mbeti i plagosur mbrëmjen e sotme në një atentat me armë zjarri në Sarandë.
50-vjeçari është një emër i njohur për autoritetet shqiptare dhe ndër vite është përmendur në disa ngjarje të hetuara nga policia. Ai ka ndryshuar disa herë emrin dhe ka qenë më herët subjekt i procedimeve penale.
Sipas të dhënave të bëra publike ndër vite, Rubati është arrestuar në vitin 2002 për një çështje të lidhur me trafikimin e minorenëve, ndërsa në vitin 2012 është proceduar për një ngjarje të lidhur me rrëmbimin e një 16-vjeçareje.
Emri i tij është përmendur gjithashtu në disa denoncime dhe konflikte të raportuara në qytetin e Sarandës.
Atentati ndaj tij ndodhi në një kohë kur emri i familjes Rubati ishte rikthyer në vëmendjen e policisë. Një ditë më parë, djali i tij, Andrea Rubati, dyshohet se është përfshirë në një konflikt me punonjësin e Policisë së Sarandës, Mihal Velço. Për këtë ngjarje, policia ka proceduar tre persona, mes tyre Andrea Rubati, Antonio Lefteri dhe Engjëll Dalanaj, të shpallur në kërkim.
Sipas informacioneve paraprake, Thimio Rubati u qëllua nga dy persona të maskuar me skafandra, të cilët dyshohet se lëviznin me motor dhe u larguan menjëherë pas ngjarjes.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të atentatit, ndërsa vijojnë kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.


