Një 50-vjeçar është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në qytetin e Sarandës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15, në lagjen nr. 4, pranë biznesit të viktimës së atentatit.
Sipas informacionit paraprak të policisë, shtetasi Th. R., 50 vjeç, është qëlluar me armë zjarri në rrethana ende të paqarta dhe është transportuar menjëherë në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur kontrollet intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Nga të dhënat paraprake dyshohet se në ngjarje kanë qenë të përfshirë dy persona të maskuar me skafandra, të cilët pas atentatit janë larguar nga vendi i ngjarjes me motomjet.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave, sigurimin e provave dhe identifikimin e autorëve të dyshuar.


