Mbi 800 zjarre pyjore vijojnë të jenë aktive në Kanada, ndërsa retë e dendura të tymit të shkaktuara prej tyre kanë përkeqësuar ndjeshëm cilësinë e ajrit në zona të gjera të Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara.
Autoritetet amerikane kanë lëshuar paralajmërime për ndotjen e ajrit në disa shtete dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht personave me probleme shëndetësore, të kufizojnë daljet jashtë dhe të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.
Sipas Sistemit Kanadez të Informacionit për Zjarret në Natyrë, aktualisht janë aktive 858 vatra zjarri, prej të cilave 30 janë regjistruar së fundmi. Një pjesë e madhe e tyre mbeten ende jashtë kontrollit të autoriteteve.
Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA (NOAA) ka vendosur alarme për cilësinë e ajrit në disa zona të Midwest-it të Sipërm, rajonin e Liqeneve të Mëdha dhe pjesë të verilindjes së vendit.
Në disa zona të Miçiganit dhe Minesotës, Indeksi i Cilësisë së Ajrit e ka klasifikuar situatën si “të rrezikshme”, ndërsa në perëndim të Nju Jorkut ajri është vlerësuar si “shumë i pashëndetshëm”. Në zonën metropolitane të Nju Jorkut, niveli i ndotjes është cilësuar si “i pashëndetshëm”.
Zjarret e mëdha në veriperëndim të Ontarios kanë krijuar masa të dendura tymi që kanë mbuluar qytete si Thunder Bay dhe Toronto. Për shkak të lëvizjes së masave ajrore, tymi ka kaluar mbi Liqenet e Mëdha dhe ka arritur deri në shtetin e Nju Jorkut, duke shkaktuar mjegull, ulje të dukshmërisë dhe përkeqësim të cilësisë së ajrit.
Përballë situatës së krijuar, autoritetet e qytetit të Nju Jorkut kanë zgjeruar masat emergjente për të përballuar njëkohësisht valën e të nxehtit dhe ndotjen atmosferike. Janë hapur qendra ftohjeje për qytetarët dhe janë shpërndarë maska mbrojtëse KN95 për të reduktuar ekspozimin ndaj grimcave të dëmshme në ajër.
Meteorologët parashikojnë reshje shiu dhe stuhi në provincën e Ontarios gjatë ditëve në vijim, por sasia e reshjeve pritet të mos jetë e mjaftueshme për të ndikuar ndjeshëm në shuarjen e zjarreve.
Ndërkohë, erërat nga veriperëndimi pritet të vazhdojnë të transportojnë tymin drejt pjesëve veriore të Shteteve të Bashkuara gjatë fundjavës. Kjo ka ngritur shqetësime edhe për zonën e Nju Xhersit, ku do të zhvillohet finalja e Kupës së Botës. Një ndryshim i drejtimit të erës në fillim të javës së ardhshme pritet të sjellë një përmirësim gradual të situatës.
Sipas të dhënave të kompanisë zvicerane IQAir, qyteti i Detroitit aktualisht renditet ndër zonat me cilësinë më të dobët të ajrit në botë, i ndjekur nga Minneapolis, Chicago dhe Toronto.


