Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Ermal Nufi takoi sot Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës Federale të Gjermanisë, Gjeneral Carsten Breuer, që po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe roli i Gjermanisë si një nga aleatët më të rëndësishëm të NATO-s dhe një kontribuues kyç për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.
Nufi theksoi se vizita e Gjeneral Breuer përbën një mundësi të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ushtarak dypalësh, duke zgjeruar fushat e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Palët diskutuan mbi situatën e sigurisë në rajon, angazhimin e përbashkët në kuadër të NATO-s si dhe përgatitjet për Samitin e ardhshëm NATO-s që pritet të mbahet në Tiranë.
Në këtë kuadër, Ministri Nufi nënvizoi se, “samiti do të jetë një moment historik për vendin dhe një mundësi për të dëshmuar se Ballkani Perëndimor është një kontribuues i rëndësishëm për sigurinë euroatlantike”.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe modernizimi i industrisë shqiptare të mbrojtjes. Ministri Nufi prezantoi programin ambicioz të qeverisë për zhvillimin e kapaciteteve prodhuese vendase, tërheqjen e investimeve dhe integrimin e Shqipërisë në zinxhirët evropianë të furnizimit në industrinë e mbrojtjes, duke shprehur interes për rritjen e angazhimit të kompanive gjermane në këtë sektor.
Gjithashtu, u diskutua mbi rëndësinë strategjike të Korridorit VIII, si një projekt që forcon lidhjen rajonale dhe rrit mobilitetin ushtarak të NATO-s.


