Tirana mirëpriti mbrëmjen e së shtunës reperin e njohur amerikan Kanye West, i cili performoi para mijëra fansave në “Eagle Stadium”, një stadium i përkohshëm i ndërtuar përgjatë aksit Tiranë–Durrës për organizimin e koncertit.
Artisti, i njohur edhe me emrin skenik Ye, u ngjit në skenë rreth orës 21:15, duke interpretuar disa prej hiteve më të njohura të karrierës së tij. Publiku e shoqëroi performancën me duartrokitje dhe këndoi së bashku me artistin gjatë gjithë mbrëmjes.
Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale pamje nga koncerti, ku shihen mijëra pjesëmarrës dhe skenografia e veçantë e aktivitetit.
“80 kombësi ka rreth asaj vatre”, shkroi Rama krahas videos së publikuar.
Koncerti u karakterizua nga një skenë me dizajn të veçantë, efekte vizuale dhe ndriçim spektakolar, duke krijuar një atmosferë që tërhoqi jo vetëm fansa nga Shqipëria, por edhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
Më herët gjatë ditës, Kanye West u prit në Kryeministri nga kryeministri Edi Rama dhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, në prag të koncertit të tij në kryeqytet.


