Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka lëshuar urdhra zyrtarë ndaj disa gazetarëve të gazetës The New York Times, pas publikimit të një artikulli që ngrinte shqetësime mbi sigurinë e avionit të ri presidencial Air Force One, dhuratë nga Katari.
Sipas gazetës, gazetarët morën të premten urdhrin nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë për të dëshmuar para një jurie të madhe federale në Manhattan vetëm pesë ditë më vonë. Në disa raste, agjentët ua dorëzuan dokumentet në banesat e tyre.
Në një deklaratë, Departamenti i Drejtësisë bëri të ditur se hetimi lidhet me rrjedhjen e informacionit të klasifikuar që prek sigurinë kombëtare.
“Gazetarët nuk janë objektivi i hetimit. Objektiv janë personat që kanë nxjerrë informacione të klasifikuara”, thuhet në reagimin e institucionit.
Megjithatë, organizatat për lirinë e medias e kanë dënuar këtë veprim. National Press Club e cilësoi vendimin si një kërcënim për të drejtën kushtetuese të qytetarëve amerikanë për një shtyp të lirë dhe të pavarur, duke i bërë thirrje Departamentit të Drejtësisë të tërheqë menjëherë urdhrat.
Edhe Freedom of the Press Foundation reagoi përmes drejtorit të saj për avokim, Seth Stern, i cili deklaroi se administrata po përdor argumentin e sigurisë kombëtare për të mbrojtur reputacionin e saj.
Nga ana tjetër, avokati i The New York Times, David McCraw, tha se fakti që agjentët federalë shkuan në shtëpitë e gazetarëve është një zhvillim që “duhet të tronditë ndërgjegjen e çdo amerikani që beson te Kushtetuta dhe liria e shtypit”.
Raporti që nxiti polemikat kishte të bënte me avionin presidencial të ri, një Boeing me vlerë rreth 400 milionë dollarë, i dhuruar nga Katari. Gazeta raportoi, duke cituar burime anonime, se avioni nuk është i pajisur me disa sisteme mbrojtëse kundër raketave dhe teknologji të tjera të sigurisë që disponojnë modelet e mëparshme të Air Force One.
Sipas artikullit, gjatë kthimit nga samiti i NATO-s në Turqi, Shërbimi Sekret Amerikan i kishte rekomanduar presidentit Trump që një pjesë të udhëtimit ta kryente me modelin e vjetër të Air Force One.
Presidenti Trump i hodhi poshtë këto pretendime, duke deklaruar se vendimi nuk kishte lidhje me shqetësime për sigurinë. Edhe Shtëpia e Bardhë këmbënguli se avioni i ri është i pajisur me teknologji moderne dhe standarde të larta sigurie.
Para publikimit të artikullit, një zyrtar i lartë i FBI-së kishte kontaktuar The New York Times, duke i kërkuar gazetës të mos e botonte materialin për arsye të sigurisë kombëtare. Megjithatë, gazeta vendosi ta publikojë raportimin.
Mes gazetarëve që kanë marrë urdhër për të dëshmuar para jurisë federale janë Julian E. Barnes, Eric Lipton, Tyler Pager dhe Eric Schmitt.
Ky nuk është rasti i parë që administrata Trump përballet me media për publikimin e informacioneve të ndjeshme. Edhe muajin e kaluar, gazetarë të The Wall Street Journal dhe The Washington Post u përballën me urdhra të ngjashëm, të cilët më pas u tërhoqën pas kundërshtimeve ligjore të mediave.


