Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last Bet”, duke goditur tre raste të dyshuara të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në kryeqytet.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, u zbuluan tre ambiente ku dyshohet se zhvilloheshin aktivitete të paligjshme të lojërave të fatit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 makineta elektronike, një tavolinë pokeri, çipsa, letra bixhozi dhe 5 telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari.
Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë dy persona, katër të tjerë u proceduan në gjendje të lirë, ndërsa dy shtetas u shpallën në kërkim.
Sipas policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin G. Zh., 22 vjeç, dhe shpallën në kërkim M. Zh., 50 vjeç, dhe A. Zh., 25 vjeç. Të tre dyshohet se organizonin lojëra fati në një ambient me qira në rrugën “Aleks Çaçi”, ku u gjetën dy makineta, një tavolinë pokeri, çipsa dhe letra bixhozi.
Ndërkohë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 arrestuan shtetasin G. S. (J.), 39 vjeç, pasi në lokalin që administronte në zonën e Bathores u gjet një makinetë dhe një celular që dyshohet se përdoreshin për organizimin e lojërave të fatit.
Gjithashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet në Prokurori për katër shtetas, S. G., 21 vjeç, O. C., 19 vjeç, R. H., 27 vjeç dhe F. D., 67 vjeç. Sipas policisë, gjatë kontrollit në një lokal në rrugën “Irfan Tomini”, atyre iu gjetën telefona celularë që dyshohet se përdoreshin për organizimin e basteve sportive.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Tiranës për vijimin e veprimeve hetimore.


