Një aksident tragjik ajror ka tronditur Bahamasin, ku një avion i vogël u rrëzua në Androsin Verior, në ujërat në perëndim të kryeqytetit Nassau, duke shkaktuar vdekjen e 10 personave që ndodheshin në bord.
Pas ngjarjes, autoritetet pezulluan përkohësisht fluturimet e linjës ajrore të përfshirë, ndërsa kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Kryeministri i Bahamasit, Philip Brave Davis, deklaroi fillimisht se një prej pasagjerëve kishte mbijetuar, por më vonë konfirmoi se ai humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
“Jemi mbledhur këtu nën një re pikëllimi të madh. Ajo që duhej të ishte një ditë festimesh për 53-vjetorin e pavarësisë së Bahamasit është kthyer në një ditë zie”, u shpreh Davis, duke u shprehur ngushëllimet familjeve të viktimave.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publik identitetin e personave që humbën jetën. Megjithatë, sipas mediave lokale, dyshohet se në mesin e viktimave ndodheshin edhe anëtarë të grupit muzikor Da Pond Band, të cilët besohet se po udhëtonin me avionin në momentin e rrëzimit.
Hetimet për rrethanat e aksidentit vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të publikojnë detaje të tjera pas identifikimit zyrtar të viktimave.


