Me rastin e koncertit të artistit amerikan Kanye West, që do të zhvillohet këtë të shtunë, 11 korrik, në Kashar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar se do të vendosen kufizime të përkohshme në qarkullimin e automjeteve në disa akse rrugore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit, nga ora 07:00 deri në orën 24:00 do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës “Durrës–Tiranë”, në segmentin nga “Eiffeli” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet që operojnë në zonë.
Po në të njëjtin interval kohor, do të bllokohet edhe korsia e daljes së autostradës “Durrës–Tiranë” në rrethrrotullimin e “Casa Italia”.
Ndërkohë, nga ora 12:00 deri në mesnatë, nuk do të lejohet qarkullimi në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”, si dhe në itinerarin “Sokrat Miho” – “Kasem Shima” – “7 Nëntori”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.
Policia bën me dije se edhe në aksin nga Ura e Institutit deri te “Casa Italia” mund të ketë bllokime të përkohshme, në varësi të fluksit të pjesëmarrësve në koncert, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe garantimin e mbarëvajtjes së aktivitetit.
Gjatë orareve të kufizimeve, në zonat e bllokuara do të lejohen të qarkullojnë vetëm mjetet e emergjencës dhe automjetet e Policisë së Shtetit.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të planifikojnë lëvizjet e tyre paraprakisht dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë Rrugore për të shmangur vonesat dhe rëndimin e trafikut.


