Robbie Williams ka dhuruar një nga momentet më të veçanta të turneut të tij “Britpop”, duke ndarë skenën me vajzën e tij 13-vjeçare, Theodora “Teddy” Williams, gjatë koncertit në Luksemburg.
Këngëtari britanik po performonte një nga hitet e tij më të njohura, “Angels”, kur ftoi vajzën e tij në skenë, duke shkaktuar duartrokitje të forta nga publiku.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Teddy shihet teksa përshëndet fansat, përpara se të përqafojë të atin dhe t’i shprehë dashurinë e saj me fjalët: “Të dua”. Momenti u shndërrua menjëherë në një nga skenat më të komentuara të koncertit.

Robbie Williams, i cili aktualisht po zhvillon turneun e tij në Evropë përpara se të udhëtojë drejt Australisë dhe Zelandës së Re, ka katër fëmijë me bashkëshorten e tij Ayda Field.
Çifti ka zgjedhur gjithmonë ta mbajë jetën familjare larg vëmendjes së medias, ndaj daljet publike të fëmijëve të tyre janë të rralla.
Momenti në skenë vjen disa muaj pasi artisti britanik foli për talentin muzikor të vajzës së tij, duke zbuluar se Teddy ka një zë të veçantë dhe aftësi për të shkruar këngë.

Megjithatë, Williams ka theksuar se dëshiron që vajza e tij ta ndjekë këtë rrugë vetëm kur të jetë plotësisht e përgatitur dhe kur të ndihet e sigurt për të përballuar presionin e një karriere në industrinë muzikore.
Edhe pse Teddy ka provuar më herët veten si aktore, mundësia për të ndjekur hapat e të atit në muzikë duket gjithnjë e më e afërt.
Performanca e përbashkët në Luksemburg u prit me shumë emocion nga publiku dhe u kthye shpejt në një nga momentet më të shpërndara të turneut “Britpop”.


