Policia britanike ka nisur hetimet për vrasjen e ish-ministres konservatore Ann Widdecombe, 78 vjeçe, e cila u gjet e pajetë në banesën e saj në Devon.
Sipas Policisë së Devonit dhe Kornuollit, shërbimet emergjente u thirrën në adresën e saj rreth mesditës të së enjtes, ku oficerët konstatuan se ish-deputetja kishte ndërruar jetë dhe kishte pësuar plagë të rënda.
“Hetimi ynë për vrasje është në fazat e hershme, por po përparon me një ritëm të konsiderueshëm”, deklaroi policia, duke bërë të ditur se po përdoren të gjitha burimet e nevojshme për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorit.
Më vonë, autoritetet njoftuan arrestimin e një 26-vjeçari britanik, i cili dyshohet se ka lidhje me vdekjen e ish-ministres. Policia bëri të ditur se ngjarja nuk po trajtohet si akt terrorist dhe se deri tani nuk ka të dhëna që të sugjerojnë një motiv politik.
Zona pranë banesës së Widdecombe mbetet e rrethuar, ndërsa ekspertët e mjekësisë ligjore vijojnë ekzaminimet dhe mbledhjen e provave.
Ann Widdecombe ishte një nga figurat më të njohura të politikës britanike. Ajo shërbeu si deputete e Partisë Konservatore për 23 vite, nga viti 1987 deri në vitin 2010, duke përfaqësuar zonën e Maidstone në Kent. Gjatë karrierës së saj politike mbajti disa poste ministrore në qeverinë e ish-kryeministrit John Major dhe më vonë u përfshi edhe në Partinë Reform UK.
Lajmi për vdekjen e saj ka shkaktuar reagime të shumta në skenën politike britanike. Kryeministri Keir Starmer e cilësoi hetimin për vrasje si “një lajm tronditës”, ndërsa theksoi se i dyshuari është një person i rrezikshëm.
Edhe liderja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, shprehu tronditjen e saj për ngjarjen, duke e cilësuar atë si “të tmerrshme”.
Familjarët e ish-ministres kanë bërë të ditur se kanë kaluar orë shumë të vështira pas lajmit të humbjes së saj, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të ngjarjes vijojnë.


