Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin e vjetër Fier–Vlorë, në vendin e quajtur “Kthesa e Qarrit”.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “BMW” është përplasur me një kamionçinë të ngarkuar me ushqim për bagëti. Përplasja ka qenë e fortë, duke shkaktuar dëmtime dhe lëndimin e një personi.
Si pasojë e aksidentit, ka mbetur i plagosur pasagjeri që udhëtonte në kamionçinë. Ai është transportuar me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal Fier, ku po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë, të cilët kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Ndërkohë, shërbimet rrugore po punojnë për normalizimin e qarkullimit në këtë segment të aksit Fier–Vlorë.


