Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian (COREPER) ka miratuar Pozicionin e Përbashkët të BE-së për mbylljen provizore të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë për tre kapituj: Kapitullin 25 “Shkenca dhe Kërkimi”, Kapitullin 26 “Arsimi dhe Kultura” dhe Kapitullin 30 “Marrëdhëniet me Jashtë”.
Lajmi u bë i ditur nga Agjencia për Media dhe Informim (MIA), e cila e cilësoi vendimin si një sinjal të qartë të besimit që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian kanë ndaj progresit të Shqipërisë në procesin e integrimit.
Sipas MIA-s, vendimi përfaqëson një vlerësim pozitiv për reformat e ndërmarra ndër vite, nivelin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis-in e Bashkimit Evropian dhe angazhimin e institucioneve shqiptare për zbatimin e Agjendës Evropiane “Shqipëria 2030”.
Mbyllja e Kapitullit 25 vlerëson përparimin e Shqipërisë në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe inovacionit, rritjen e investimeve në dije dhe teknologji, si dhe zbatimin e Strategjisë së Specializimit Inteligjent (S3), me synim forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe integrimin në Hapësirën Evropiane të Kërkimit.
Ndërkohë, mbyllja e Kapitullit 26 pasqyron progresin në modernizimin e sistemit arsimor, përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe formimit profesional, promovimin e gjithëpërfshirjes, si edhe zhvillimin e politikave për rininë dhe kulturën në përputhje me standardet evropiane.
Sa i takon Kapitullit 30, ai vlerëson përafrimin e Shqipërisë me politikën tregtare dhe marrëdhëniet e jashtme të Bashkimit Evropian, duke konfirmuar rolin e vendit si një partner i besueshëm në arenën ndërkombëtare.
Vendimi i COREPER hap rrugën që mbyllja provizore e këtyre tre kapitujve të formalizohet në Konferencën Ndërqeveritare Shqipëri–BE, e cila do të zhvillohet më 14 korrik në Bruksel.
Sipas MIA-s, ky është një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e anëtarësimit, që konfirmon ritmin e qëndrueshëm të negociatave dhe përgatitjen e Shqipërisë për fazat e ardhshme të integrimit në Bashkimin Evropian.
Agjencia thekson se Shqipëria mbetet e angazhuar për të vijuar reformat dhe për të përmbushur të gjitha kriteret e nevojshme, me synimin për të përmbyllur me sukses procesin e negociatave dhe për të realizuar objektivin strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.


