Dy vite pas vrasjes së Egli Progës, Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen ndaj pesë personave të akuzuar për ngjarjen e rëndë.
Pas mbylljes së hetimeve, organi i akuzës u ka komunikuar akuzën për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim Denis Meçes dhe Leonidha Guçes.
Ndërkohë, për Arjan Manellarin, Voltan Shkulakun dhe Andi Shkulakun rëndojnë akuzat e moskallëzimit të krimit të kryer në bashkëpunim dhe kryerjes së veprimeve që pengojnë zbardhjen e së vërtetës, raporton korrespondentja e Top Channel, Dhorjela Çule.
Për dy personat e akuzuar për vrasjen me dashje të kryer në bashkëpunim, Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, ndërsa tre të akuzuarit e tjerë po hetohen nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, 42-vjeçari Egli Progë ka humbur jetën si pasojë e një hemorragjie cerebrale në cipën e trurit, e shkaktuar nga një goditje me grusht.
Prokuroria ka mbështetur akuzën jo vetëm mbi rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore, por edhe mbi dëshmitë e marra gjatë hetimit dhe ekspertimin e pamjeve filmike nga kamerat e bizneseve pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Vrasja e Egli Progës, e regjistruar më 10 gusht 2024, shkaktoi përplasje mes Policisë dhe Gjykatës, ndërsa familjarët e viktimës kërkuan që hetimi të shtrihej jo vetëm ndaj personave të dyshuar për përfshirje direkte, por edhe ndaj strukturave të policisë lokale.


