Aktorja turke Ece Irtem, e njohur për publikun për rolin e “Isil” në serialin “Kizilcik Serbeti”, ndërroi jetë disa javë më parë në moshën 35-vjeçare, ndërsa shkaku i vdekjes së saj ka qenë objekt spekulimesh dhe hetimesh.
Fillimisht u raportua se aktorja kishte humbur jetën si pasojë e një sulmi në zemër. Më vonë, u ngritën dyshime se vdekja mund të kishte lidhje me një kafshim majmuni gjatë një udhëtimi në Tajlandë.
Pas kërkesës për hetime të mëtejshme dhe kryerjes së një autopsie të re, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Turqi ka dalë me përfundimin zyrtar mbi shkakun e vdekjes.

Sipas raportit mjeko-ligjor, Ece Irtem ka ndërruar jetë si pasojë e helmimit nga alkooli etilik. Analizat zbuluan një përqendrim shumë të lartë alkooli në gjakun e saj, rreth 395 mg/dl, ndërsa ekspertët arritën në përfundimin se vdekja ishte shkaktuar nga helmimi me etanol.
Më herët, familjarët kishin shprehur dyshime se ngjarja mund të lidhej me një kafshim majmuni gjatë pushimeve të aktores në Tajlandë, pasi në krahun e saj ishin vënë re disa shenja.
Edhe avokati i saj kishte kërkuar që kjo pistë të hetohej gjatë autopsisë, duke argumentuar se një kafshim i tillë mund të shkaktonte komplikime serioze, përfshirë infeksione të rënda.
Në deklaratën e saj, nëna e aktores tregoi se një natë para ngjarjes ato kishin marrë pjesë në një festë ditëlindjeje dhe më pas ishin kthyer në banesë.
Sipas saj, vajza kishte konsumuar një sasi të madhe alkooli dhe përdorte gjithashtu medikamente të forta kundër depresionit. Të nesërmen në mëngjes, ajo e kishte gjetur Ece Irtem pa shenja jete.


