Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar se, në kuadër të aktivitetit muzikor “YE”, i cili do të zhvillohet më 11 korrik 2026 në Kashar, do të zbatohen kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa segmente rrugore të kryeqytetit.
Sipas njoftimit, nga ora 07:00 deri në 24:00 do të ndalohet qarkullimi në aksin dytësor të autostradës “Durrës–Tiranë”, në segmentin nga “Eiffeli” deri te “Casa Italia”. Ky segment do të funksionojë vetëm me sens daljeje për subjektet.
Po në të njëjtin interval kohor, nga ora 07:00 deri në 24:00, do të bllokohet edhe korsia e daljes së autostradës “Durrës–Tiranë”, në rrethrrotullimin e “Casa Italia”.
Ndërkohë, nga ora 12:00 deri në 24:00, do të ndalohet qarkullimi në segmentin “Casa Italia” – rruga “Pavarësia” – rruga “Sokrat Miho”.
Gjithashtu, në të njëjtin interval, nga ora 12:00 deri në 24:00, do të kufizohet lëvizja edhe në segmentin rruga “Sokrat Miho” – rruga “Kasem Shima” – rruga “7 Nëntori”, i cili do të funksionojë vetëm me sens daljeje.
Policia bën të ditur se, në varësi të fluksit të pjesëmarrësve, mund të ketë edhe bllokime të pjesshme të qarkullimit në aksin nga Ura e Institutit deri te “Casa Italia”, me qëllim menaxhimin e trafikut dhe garantimin e zhvillimit normal të aktivitetit.
Gjatë orareve të kufizimeve, akses në zonat e bllokuara do të kenë vetëm mjetet e emergjencës dhe automjetet e Policisë së Shtetit.
Në përfundim, Policia e Tiranës u kërkon mirëkuptim qytetarëve dhe u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të planifikojnë lëvizjet e tyre, të përdorin akse alternative dhe të respektojnë udhëzimet e efektivëve të Policisë të angazhuar në terren.


