Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi këtë të enjte një vizitë në Luginën e Preshevës, ku u prit ngrohtësisht nga banorët dhe drejtuesit vendorë si në Preshevë, ashtu edhe në Bujanoc.
Gjatë vizitës, Kreu i Shtetit zhvilloi takime të veçanta me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, si dhe me deputetin e vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Në fokus të bisedimeve ishin adresimi i shqetësimeve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, forcimi i bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar dhe projektet që synojnë mbështetjen e të rinjve.
Presidenti Begaj përcolli mesazhe për bashkëpunim, unitet politik dhe angazhim të përbashkët në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në këtë trevë. Ai u bëri thirrje drejtuesve politikë të bashkohen sa herë që bëhet fjalë për interesin kombëtar dhe për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.















Këto mesazhe u përsëritën edhe gjatë fjalës së tij para qytetarëve në Preshevë, në ceremoninë e hapjes së Panairit të Librit Shqip 2026.
Në fjalimin e tij, Presidenti garantoi mbështetjen e Shqipërisë për adresimin e çështjeve që prekin shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke përmendur përfaqësimin e drejtë në institucione, shqetësimin për pasivizimin e adresave, si dhe mbrojtjen e të drejtës për përdorimin e gjuhës amtare dhe të simboleve kombëtare.
“Të drejtat dhe liritë e shqiptarëve në Luginën e Preshevës e kudo ku ata jetojnë duhen të respektohen. Shqiptarët duhet të jetojnë këtu, të mos diskriminohen, gjuha shqipe të përdoret pa drojë e frikë, ndërsa kultura, vlerat, identiteti dhe traditat të mbrohen e promovohen”, deklaroi Begaj.
Presidenti rikonfirmoi se shqiptarët janë faktor paqeje dhe bashkëpunimi në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Preshevë është pjesë e standardeve evropiane për të drejtat e njeriut dhe diversitetin kulturor.
“Identiteti shqiptar është ndërtuar mbi vlera evropiane, mbi respektin për lirinë, dinjitetin njerëzor, bashkëjetesën, shtetin e së drejtës dhe kulturën e dialogut. Prandaj, mbrojtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Luginën e Preshevës nuk është çështje nostalgjie dhe as vetëm çështje kombëtare. Ajo është pjesë e vetë sistemit evropian të mbrojtjes së të drejtave dhe pjesë e vizionit tonë si komb për të ardhmen”, u shpreh ai.
Një pjesë të veçantë të fjalës së tij, Kreu i Shtetit ia kushtoi të rinjve të Preshevës, duke i ftuar ta shohin gjuhën shqipe jo vetëm si gjuhën e familjes, por edhe si gjuhën e dijes, profesionit dhe suksesit.
“Një mesazh sot e kam për ata fëmijë dhe të rinj të pranishëm. Ju jetoni në një kohë kur dija është më e arritshme se kurrë më parë, por edhe kur sfida për të ruajtur identitetin është më komplekse. Gjuha shqipe në këto troje është një pasuri e gjallë dhe e patjetërsueshme, një investim strategjik për të ardhmen e kombit. Përdoreni jo vetëm për të ruajtur traditën, por edhe si gjuhën e dijes, të profesionit, të krijimtarisë dhe të suksesit tuaj këtu në Luginë, sepse një gjuhë jeton vërtet kur shkruhet, lexohet, krijon dije dhe frymëzon breza”, tha Presidenti.
Në përfundim, Begaj u zotua se do të vijojë të jetë zëri i të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në çdo institucion dhe kancelari ndërkombëtare.
“Dua t’ju siguroj se institucioni që përfaqësoj do të mbetet gjithmonë një mbështetës i nismave që forcojnë bashkëpunimin kulturor, promovojnë librin në gjuhën shqipe dhe krijojnë ura komunikimi ndërmjet shqiptarëve kudo që jetojnë”, përfundoi Presidenti Begaj.

