Një konflikt mes dy personave ka përfunduar me plagosje me thikë në afërsi të shkollës “Demokracia” në qytetin e Korçës.
Sipas informacioneve paraprake, gjatë përplasjes njëri prej personave ka mbetur i plagosur pasi është goditur me mjet prerës. I dëmtuari, Rigels Janaqi, 42 vjeç, ka marrë plagë në zonën e qafës dhe është dërguar në urgjencën e Spitalit Rajonal të Korçës, ku po merr ndihmë mjekësore.
Policia ka bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në komisariat të autorit të dyshuar, Gëzim Ramka, 54 vjeç, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Nga të dhënat paraprake mësohet se të dy personat kanë probleme të shëndetit mendor, ndërsa konflikti dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta.
Burime nga spitali bëjnë me dije se i plagosuri me thikë do të niset drejt spitalit të Traumës për mjekim të specializuar për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Thika i ka prekur cervikalen dhe ka rrezik për jetën, pritet të niset në kryeqytet.


