Kupa e Botës 2026 po konfirmon epërsinë e futbollit evropian. Nga tetë skuadrat që kanë siguruar një vend në çerekfinale, gjashtë vijnë nga Evropa: Belgjika, Anglia, Franca, Norvegjia, Spanja dhe Zvicra. Dy vendet e mbetura i kanë zënë Argjentina dhe Maroku.
Sipas BBC, ky është numri më i lartë i ekipeve evropiane në mesin e tetë më të mirave të një Botërori të zhvilluar jashtë Evropës që nga viti 1994.
Megjithëse disa prej përfaqësueseve evropiane hasën vështirësi në fazën e grupeve, ato ngritën ndjeshëm nivelin e lojës në fazën me eliminim direkt, duke dëshmuar cilësi teknike, organizim dhe aftësi për të përballuar presionin e ndeshjeve vendimtare.
Anglia siguroi kualifikimin pas një sfide të fortë ndaj Meksikës, Franca kaloi Paraguajin në një duel të luftuar, ndërsa Belgjika eliminoi vendin organizator, Shtetet e Bashkuara.
Dominimi i këtij edicioni bëhet edhe më i dukshëm pas eliminimit të disa prej pretendentëve kryesorë jashtë Evropës, si Brazili, si edhe largimit të tre vendeve pritëse – SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës – që nuk arritën të kalonin fazën e 1/8-ve.
Mes favoritëve për të ngritur trofeun mbeten Franca, Spanja dhe Anglia. Franca, e udhëhequr nga Kylian Mbappé, vazhdon të konfirmojë statusin e saj si pretendente kryesore, ndërsa sulmuesi francez renditet mes kandidatëve për “Këpucën e Artë” të turneut.
Spanja ka bindur me një futboll të disiplinuar dhe një mbrojtje të pathyeshme, duke mos pësuar ende asnjë gol. Nga ana tjetër, Anglia synon të shfrytëzojë pjekurinë dhe besimin e fituar gjatë rrugëtimit në këtë Botëror.
Turneu ka sjellë edhe surpriza të këndshme. Norvegjia, e rikthyer në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1998, po shkëlqen falë Erling Haaland, i cili ka realizuar shtatë gola dhe është një nga protagonistët kryesorë të kompeticionit.
Edhe Zvicra ka shkruar histori, duke siguruar një vend në çerekfinale për herë të parë që nga viti 1954 pas triumfit me penallti ndaj Kolumbisë. Sfida e radhës për zviceranët do të jetë ndaj kampiones në fuqi, Argjentinës.
Nëse një skuadër evropiane arrin të fitojë trofeun, do të jetë vetëm hera e tretë në histori që një përfaqësuese nga Evropa triumfon në një Kupë Bote të zhvilluar jashtë kontinentit, pas Spanjës në Afrikën e Jugut në vitin 2010 dhe Gjermanisë në Brazil në vitin 2014.


