Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi një vizitë në Luginën e Preshevës, ku u takua me përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të shqiptarëve të kësaj treve. Gjatë vizitës, ai bisedoi me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetarin e Komunës së Bujanocit, Arbër Bajaziti, deputetin shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, si dhe me kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepin.
Në qendër të diskutimeve ishin sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar në Luginën e Preshevës, nevoja për bashkëpunim më të ngushtë mes faktorëve politikë shqiptarë dhe mbështetja e projekteve që synojnë krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë.
Begaj u bëri thirrje përfaqësuesve politikë të veprojnë të bashkuar në mbrojtje të interesave të shqiptarëve të Luginës. Ai theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë kërkesat për një përfaqësim të drejtë në institucionet shtetërore, adresimin e çështjes së pasivizimit të adresave, si dhe garantimin e të drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe dhe të simboleve kombëtare.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Presidenti nënvizoi se do të vijojë të angazhohet për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke e ngritur këtë çështje në institucionet dhe kancelaritë ndërkombëtare.


