Një grup prej 12 vendeve aleate të NATO-s, me Britaninë e Madhe në krye, kanë nisur një projekt të ri për zhvillimin e një sistemi raketor me rreze të gjatë veprimi, me investime që pritet të kalojnë 50 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme.
Programi, i njohur si “Deep Precision Strike”, u prezantua nga qeveria britanike dhe është pjesë e diskutimeve në Samitin e NATO-s që po zhvillohet në Ankara. Sipas BBC-së, nisma synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të vendeve evropiane dhe të zvogëlojë varësinë e tyre nga sistemet amerikane të armatimit.
Sipas autoriteteve britanike, raketa e re do të ketë një rreze fillestare goditjeje prej rreth 300 kilometrash, ndërsa versionet e ardhshme synojnë të arrijnë deri në 2 mijë kilometra. Sistemi është projektuar për të goditur me saktësi objektiva strategjikë, si qendra komanduese, baza ushtarake, depo municionesh, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe nyje logjistike të vendosura larg vijës së frontit.
Kryeministri britanik, Keir Starmer, i pranishëm në samitin e Ankarasë, do të zhvillojë takime me liderët e vendeve pjesëmarrëse për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të projektit. Ai u shpreh se nisma do të forcojë bashkëpunimin mes aleatëve evropianë dhe do të kontribuojë në sigurinë afatgjatë të NATO-s, duke theksuar se Evropa duhet të marrë një rol më të madh në garantimin e mbrojtjes së saj.
Nga ana tjetër, Starmer pritet të përballet me kritika nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka kërkuar vazhdimisht që aleatët evropianë të rrisin shpenzimet ushtarake. Sipas raportimeve, Trump mund të kritikojë Londrën për mungesën e një plani të detajuar për arritjen e objektivit të NATO-s, që parashikon shpenzime për mbrojtjen në nivelin 3.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Në samitin e mëparshëm, vendet anëtare të Aleancës ranë dakord që investimet e përgjithshme në mbrojtje dhe siguri të arrijnë në 5% të PBB-së deri në të njëjtin afat.
Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, deklaroi se projekti është një përgjigje ndaj përkeqësimit të situatës globale të sigurisë. Sipas saj, zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar nevojën që Evropa të disponojë kapacitete më të avancuara për goditjen e objektivave strategjikë dhe infrastrukturës logjistike të kundërshtarëve.
Qeveria britanike theksoi se koncepti i raketës së re është frymëzuar edhe nga përvoja e luftës në Ukrainë, ku përdorimi i armëve precize me rreze të gjatë ka dëshmuar rëndësinë e goditjes së depove të furnizimit, qendrave logjistike dhe objekteve ushtarake larg vijës së frontit, duke ndikuar drejtpërdrejt në aftësinë operacionale të forcave kundërshtare.


