Presidenti i Federatës Argjentinase të Futbollit (AFA), Claudio Tapia, po përballet me hetime nga autoritetet amerikane lidhur me aktivitetin e kompanisë së tij, TourProdEnter LLC, në Shtetet e Bashkuara.
Sipas së përditshmes argjentinase La Nación, FBI dhe prokurorët federalë kanë nisur një hetim për operacionet financiare të kompanisë, ndërsa po merren në pyetje edhe dëshmitarë që kanë dijeni për transaksionet e lidhura me AFA-n në territorin amerikan.
Hetuesit e Departamentit amerikan të Drejtësisë po shqyrtojnë mënyrën e funksionimit të TourProdEnter LLC dhe qarkullimin e fondeve që, sipas raportimeve, kapin vlerën e mbi 300 milionë dollarëve. Autoritetet synojnë të verifikojnë nëse ndonjë prej këtyre transaksioneve mund të përbëjë vepra penale në juridiksionin e SHBA-së.
Në kuadër të hetimeve, agjentët e FBI-së zhvilluan një videokonferencë me sipërmarrësin Guillermo Tofoni, gjatë së cilës u diskutuan disa operacione financiare të lidhura me Federatën Argjentinase të Futbollit. Dyshimet përqendrohen në mundësinë e pastrimit të parave ose mashtrimeve përmes sistemit bankar amerikan.
Sipas raportimeve, hetimi ka nisur në vitin 2025 dhe drejtohet nga prokurorët federalë Patrick Gushue dhe Christopher Ting në Uashington DC, si dhe Michael Berger në Distriktin Jugor të Floridës.
Kompania TourProdEnter LLC tërhoqi vëmendjen e autoriteteve pasi mori rolin e agjentes së arkëtimit për kontratat tregtare të AFA-së me sponsorë dhe partnerë ndërkombëtarë.
Sipas La Nación, përmes kësaj kompanie janë kanalizuar qindra milionë dollarë të ardhura nga kontrata me kompani shumëkombëshe, përfshirë Adidas, me rreth 60 milionë dollarë, dhe Warner, me rreth 40 milionë dollarë.


