Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se samiti i ardhshëm i NATO-s do të mbahet në Tiranë. Deklarata u dha në përfundim të samitit të Aleancës, të zhvilluar në Ankara.
Duke iu referuar diskutimeve të mëhershme lidhur me vendin pritës të samitit, Rama u shpreh se Shqipëria tashmë gëzon një rol të konsoliduar në arenën ndërkombëtare.
“Ka marrë fund koha kur të tjerët vendosnin për Shqipërinë. Sot Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën. Samiti i ardhshëm do të zhvillohet në Tiranë”, deklaroi kryeministri.
Rama mori pjesë në punimet e samitit të NATO-s në Ankara, ku udhëheqësit e 32 vendeve anëtare dhe partnerët kryesorë të Aleancës diskutuan sfidat aktuale të sigurisë dhe prioritetet strategjike.
Në fokus të takimit ishin forcimi i kapaciteteve mbrojtëse, rritja e investimeve në mbrojtje, modernizimi ushtarak, koordinimi i politikave të sigurisë, si dhe mbështetja e vazhdueshme për Ukrainën.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë samit riafirmoi angazhimin e vendit si anëtar i NATO-s për të kontribuar në sigurinë kolektive dhe përballimin e sfidave të përbashkëta të Aleancës.


