Argjentina siguroi kualifikimin në çerekfinalet e Kupës së Botës pas një përmbysjeje dramatike 3-2 ndaj Egjiptit, duke mbajtur gjallë ëndrrën për të mbrojtur titullin botëror.
Egjipti kaloi në avantazh që në minutën e 15-të me Ibrahim, ndërsa Zizo dyfishoi shifrat në minutën e 67-të, duke e vënë Argjentinën në një situatë të vështirë.
Kampionët e botës patën mundësi të shumta për të shënuar edhe më herët, por portieri egjiptian zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer me disa pritje vendimtare, duke pritur edhe një penallti të Lionel Messit.
Megjithatë, në minutat e fundit Argjentina reagoi në mënyrë spektakolare. Christian Romero ngushtoi diferencën në minutën e 79-të, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë Lionel Messi barazoi rezultatin në 2-2. Përmbysja u kompletua në minutën e dytë shtesë, kur Enzo Fernandez shënoi golin e fitores, duke vulosur suksesin 3-2 të “Albiceleste”.
Me këtë triumf, Argjentina avancon në çerekfinale, ku do të përballet me fituesin e çiftit Zvicër–Kolumbi.
Rezultati: Argjentinë – Egjipt 3-2
Golat:
- Argjentina: Romero (79′), Messi (84′), Fernandez (90+2′)
- Egjipti: Ibrahim (15′), Zizo (67′)


