Pas publikimit të videos së rëndë që po qarkullon në rrjetet sociale, ku një 17-vjeçare dhunohet nga bashkëmoshataret e saj, ekspertët e arsimit dhe psikologjisë kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar përhapjen e dhunës mes të rinjve.
Ekspertja e arsimit, sociologjisë dhe politikave arsimore, Prof. Majlinda Keta, ka kërkuar ndalimin e publikimit të pamjeve të dhunës, duke theksuar se ato nuk duhet të shpërndahen më tej.
“Do të preferoja të mos publikohej”, u shpreh Keta, duke ngritur shqetësimin për ndikimin që këto materiale mund të kenë tek të rinjtë dhe shoqëria në tërësi.
Sipas saj, fenomeni i dhunës dhe bullizimit tek adoleshentët lidhet me një krizë më të gjerë sociale dhe familjare. Keta iu referua edhe të dhënave nga një studim i fundit i Fakultetit të Shkencave Sociale mbi dhunën dhe bullizimin në këtë grupmoshë.
“Kemi të bëjmë me një prindërim të tronditur. 4 deri në 12 orë fëmija qëndron në ekran, i pakontrolluar. Shoqëria jonë ka kaluar në një fazë ku nuk dallon më djali nga vajza për dhunën që përdorin”, deklaroi ajo.
Edhe psikologia Treska bëri apel për më shumë vëmendje nga prindërit në edukimin dhe monitorimin e fëmijëve, duke theksuar nevojën për vendosjen e kufijve të përshtatshëm për moshën.
“Nuk mundet një adoleshente të bëjë thonjtë, të bëjë vetullat si një 20-vjeçare. Mos lejoni djemtë 12–14 vjeç të shkojnë me pushime vetëm në jug”, u shpreh psikologia.
Prof. Keta theksoi se institucionet duhet të hartojnë një strategji kombëtare kundër dhunës dhe të ndërhyjnë menjëherë përballë rasteve të tilla.
Ajo propozoi që në vitin e ri akademik të zyrtarizohen edhe “klasat prindërore”, me synim përfshirjen më të madhe të familjeve në procesin edukativ.
Sipas saj, viti i ri shkollor duhet të shpallet si “Viti i Etikës”, ku të gjithë aktorët e sistemit arsimor – drejtuesit, mësuesit, prindërit, nxënësit dhe komuniteti – të mbajnë përgjegjësi për respektimin e standardeve etike.
“Kemi nevojë për më shumë etikë, e cila do të standardizonte liritë dhe përgjegjësitë e gjithsecilit”, theksoi Keta.
Ekspertët vlerësojnë se rritja e rasteve të dhunës mes të rinjve kërkon një qasje të përbashkët nga familja, shkolla dhe institucionet, përpara se fenomeni të marrë përmasa më të mëdha.


