Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për Granit Pepnikën, bosi i mashtrimeve me Call Center që u arrestua më 3 korrik . Ai akuzohet për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”.
E njëjta masë sigurie, “Arrest në burg”, është caktuar edhe për Xhoni Hitaj, i akuzuar gjithashtu për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, si dhe për Redion Rexhmati, që akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
29-vjeçari në kërkim ndërkombëtar u kap nga policia e Vlorës dhe Forcat Operacionale teksa po qëndronte në një vilë luksoze në Dhërmi. Në pranga përfundoi edhe bashkëpunëtori i tij, 31-vjeçari Xhoni Hitaj, edhe ai i shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve, dyshohet se ai organizonte rrjetin e call center-ave që mashtronte qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian, duke i bindur të investonin në platforma të bursës. Dëmi ekonomik vlerësohet mbi 50 milionë euro.
Nga hetimet rezulton se Pepnikaj zotëronte 50% të aksioneve të shoqërisë “Gama Media Communication”, themeluar në korrik 2021 me Jurgen Melën.
Operacioni për goditjen 3 e call center-ave mashtrues që ushtronin aktivitetin kriminal në 12 zyra në kryeqytet, u krye në prill të këtij viti pas një hetimi dyvjeçar të Prokurorisë së Tiranës në bashkëpunim me autoritetet austriake. Gjatë këtij aksioni, u sekuestruan 900 mijë euro cash dhe në pranga ranë 10 persona.


