Asambleja Parlamentare e OSBE-së ka miratuar propozimin e Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë për organizimin e Sesionit të Vjeshtës 2027 në Tiranë, një vendim që konsiderohet një arritje e rëndësishme për diplomacinë parlamentare shqiptare.
Lajmin e bëri të ditur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku e cilësoi vendimin si një shprehje besimi ndaj rolit aktiv të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.
Sipas tij, organizimi i këtij sesioni do të krijojë një mundësi të rëndësishme për zhvillimin e diskutimeve mbi demokracinë, sigurinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, ndërsa njëkohësisht do të shërbejë për promovimin e mikpritjes, vlerave dhe potencialit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
“Kënaqësi të bashkëndaj lajmin se Asambleja Parlamentare e OSBE-së miratoi propozimin e Delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë për organizimin e Sesionit të Vjeshtës 2027 në Tiranë me angazhimin e të gjitha vendeve anëtare të OSBE-së.
Kjo arritje e rëndësishme për diplomacinë parlamentare shqiptare përveçse thekson rolin e saj aktiv dhe ofron një mundësi për diskutime mbi demokracinë, sigurinë, bashkëpunimin është një mundësi e shkëlqyer për të promovuar mikpritjen, vlerat dhe potencialin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.
Ky vendim është një vlerësim besimi ndaj rolit aktiv të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së dhe një dëshmi e angazhimit për forcimin e dialogut parlamentar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar”, shkruan Klosi.


