Shfaqja e një arkivoli gjatë protestës së zhvilluar dje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ka shkaktuar reagime nga përfaqësues të mazhorancës. Protestuesit e cilësuan atë si “arkivoli politik i Ramës”, ndërsa Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dhe deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe e dënuan ashpër përdorimin e këtij simboli.
Lamallari e quajti të papranueshme përdorimin e simboleve të vdekjes në një protestë, duke e cilësuar si një akt që nxit urrejtje dhe përçarje.
“Pamjet e arkivolit që shëtiste në bulevard janë të neveritshme. Të përdorësh simbolet e vdekjes për këdoqoftë nuk është më protestë, por një përpjekje e ulët për të krijuar ndasi dhe për të helmuar shoqërinë me gjuhën e urrejtjes. Shqiptarët nuk ua kanë borxh ritualet mortore në sheshe,” u shpreh ministri.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe deputeti Erion Braçe, i cili e cilësoi arkivolin si një simbol të ekstremizmit.
“Arkivoli nuk është poezi. Arkivoli, kudo, ka vetëm një kuptim – vdekje. Kjo që shoh është përtej urrejtjes, është ekstremizëm i dhunshëm. Demokracia evropiane nuk ka lidhje me këtë ndyrësi ekstremiste,” shkroi Braçe në rrjetet sociale.
Arkivoli ishte një nga momentet që tërhoqi më shumë vëmendje gjatë protestës, ndërsa protestuesit e paraqitën atë si një simbol politik në shenjë kundërshtimi ndaj kryeministrit Edi Rama.


