Kryeministri Edi Rama e ka nisur këtë të diel me një video, ku ka përgënjeshtruar lajmet e publikuara në rrjetet sociale për ekzistencën e një projekti ndërtimi në Gjirin e Porto Palermos.
Reagimi i Ramës erdhi pas publikimeve të gazetarit Klevin Muka. Kreu i qeverisë theksoi se është angazhuar personalisht që në atë zonë të mos lejohet asnjë ndërtim, duke kujtuar se gjiri është shpallur monument i natyrës.
“Unë i kam kërkuar qeverisë të kërkojë mbrojtjen e plotë të Gjirit të Porto Palermos nga ndërtimet. E kemi shpallur atë gji monument të natyrës. Po mbyllim edhe projektin e muzeut të Luftës së Ftohtë dhe rehabilitimin për qëllime turistike të repartit bashkëngjitur”, u shpreh Rama.
Kryeministri sqaroi se masterplanet e përmendura në publikime janë projekte të porositura nga subjekte private për prona private dhe se disa prej tyre janë refuzuar nga institucionet shtetërore.
Ai akuzoi përhapësit e këtyre lajmeve për dezinformim dhe manipulim të opinionit publik, duke theksuar se në zonën e Porto Palermos nuk do të lejohet zhvillim ndërtimor.


