Nga ishulli italian i Lampeduzës, Papa Leoni XIV u bëri thirrje vendeve europiane që t’i qasen fenomenit të emigracionit me një strategji afatgjatë, duke e cilësuar atë si një “thirrje epokale” për shoqëritë e kontinentit.
Gjatë meshës së kremtuar pranë portit ku zbarkojnë mijëra emigrantë, Ati i Shenjtë theksoi se Europa, për shkak të pozicionit të saj dhe rolit global, duhet të kalojë nga menaxhimi i emergjencave drejt politikave të qëndrueshme që garantojnë shpëtimin, mbrojtjen dhe integrimin e azilkërkuesve, si edhe mbështetjen për zhvillimin e vendeve të origjinës.
Ai nënvizoi se varfëria, konfliktet, trafikimi i qenieve njerëzore dhe indiferenca kanë krijuar një tragjedi që nuk mund të injorohet, duke kujtuar se mijëra njerëz kanë humbur jetën në Mesdhe.
“Në këtë ishull lutem që bota e sotme dhe e nesërme të bëhet më njerëzore për të gjithë”, u shpreh Papa.
Gjatë vizitës së tij, Papa u ndal në varrezat e Lampeduzës, pranë vendit ku prehen emigrantë që kanë humbur jetën në det, mes tyre edhe një foshnje gjashtëmuajshe nga Guinea. Më pas ai vizitoi “Portën e Europës”, monument simbolik i ishullit, ku eci i vetëm drejt bregut me vështrimin nga Mesdheu.
Ati i Shenjtë falënderoi gjithashtu banorët e Lampeduzës, vullnetarët, rojet bregdetare dhe mjekët për ndihmën e tyre ndaj emigrantëve ndër vite, duke e cilësuar solidaritetin e tyre një “mrekulli të dhembshurisë”.


