Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka përcjellë një mesazh me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së demokracisë dhe të vlerave mbi të cilat u themelua vendi.
Në reagimin e tij, Obama e cilësoi Deklaratën e Pavarësisë së vitit 1776 si një moment historik që hodhi themelet e idesë së vetëqeverisjes dhe shpalli parimin se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë dhe gëzojnë të drejta të patjetërsueshme.
Ai pranoi se themeluesit e Shteteve të Bashkuara nuk e realizuan plotësisht këtë ideal, duke kujtuar se skllavëria vazhdoi të ekzistonte dhe e drejta e votës ishte e kufizuar vetëm për një pjesë të popullsisë. Megjithatë, sipas tij, Kushtetuta dhe Karta e të Drejtave krijuan bazën që brezat pasues të zgjeronin liritë dhe të drejtat qytetare.
Obama vlerësoi gjithashtu rolin e qytetarëve amerikanë ndër dekada, duke theksuar se përmes protestave, peticioneve, grevave dhe angazhimit civil është zgjeruar vazhdimisht kuptimi i shprehjes “Ne, populli”, duke përfshirë gjithnjë e më shumë njerëz në jetën demokratike të vendit.
Në fund të mesazhit, ish-presidenti bëri thirrje për vijimin e përpjekjeve në mbrojtje të demokracisë.
“Tani nuk mund të bëhemi të vetëkënaqur. Kemi ende shumë punë për të bërë për të mbrojtur demokracinë tonë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë”, u shpreh Obama.


