Shtetet e Bashkuara po përballen me një valë të fortë të të nxehtit në prag të festës së Pavarësisë më 4 korrik, me miliona qytetarë në Bregun Lindor të vendit të ekspozuar ndaj temperaturave rekord, raporton BBC.
Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi se, për shkak të lagështisë së lartë, temperaturat mund të ndihen deri në 46°C në qytete si Uashingtoni, Filadelfia dhe Nju Jorku.
Autoritetet kanë ngritur alarmin për kushte të rrezikshme, ndërsa disa zona urbane kanë regjistruar tashmë rreth 38°C dhe pritet që i nxehti të vazhdojë edhe gjatë fundjavës së festimeve të 4 korrikut, kur organizohen aktivitete masive në ambiente të hapura.
Në Uashington janë vendosur kufizime për pjesëmarrjen në evente publike, ndërsa në Nju Jork qytetarët janë këshilluar të shmangin ekspozimin në diell dhe të qëndrojnë në ambiente të freskëta.
E njëjta valë të nxehti ka prekur edhe jugun e Kanadasë, ku autoritetet kanë paralajmëruar temperatura të larta dhe lagështi të rënduar.
Meteorologët shpjegojnë se situata është shkaktuar nga një zonë me presion të lartë atmosferik që ka “bllokuar” ajrin e nxehtë mbi rajon, duke krijuar fenomenin e njohur si “kupolë nxehtësie”.
Ekspertët theksojnë se valët ekstreme të të nxehtit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe intensive si pasojë e ndryshimeve klimatike globale.


