Një operacion i përbashkët i Administratës Doganore dhe Policisë së Shtetit ka çuar në zbulimin dhe bllokimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrolleve të bazuara në analizën e riskut, strukturat e Doganës Rinas kontrolluan bagazhet e pasagjerëve të një fluturimi me itinerar Toronto–Rinas. Gjatë skanimit, dy valixhe ngjallën dyshime për përmbajtje të paligjshme.



Pas kontrollit fizik, të kryer në prani të poseduesve të bagazheve, u sekuestruan 46 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis sativa, e paketuar në 89 pako.
Personat e dyshuar, së bashku me lëndën narkotike të sekuestruar, iu kaluan strukturave të Policisë së Shtetit, të cilat kanë nisur procedurat hetimore dhe veprimet e mëtejshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit.
Administrata Doganore thekson se mbetet e angazhuar në rritjen e kontrolleve në pikat kufitare dhe në bashkëpunimin me institucionet ligjzbatuese për të parandaluar trafikimin e lëndëve narkotike dhe çdo aktivitet tjetër të kundërligjshëm.

