Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Shkozet të Durrësit gjatë një operacioni të përbashkët të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe Qendrës Operative të DIA-s në Bari.
I arrestuari, Adi Çoba, ishte në listën e personave të kërkuar në kuadër të operacionit ndërkombëtar “Ura”, i zhvilluar më 21 maj 2025 nga autoritetet shqiptare, italiane dhe belge kundër grupeve të dyshuara të përfshira në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe veprimtari të tjera kriminale.
Sipas njoftimit, në momentin e arrestimit Çoba mbante me vete një pistoletë automatike me dy karikatorë, si edhe katër dokumente të dyshuara të falsifikuara, mes të cilave një kartë identiteti dhe një leje drejtimi italiane. Hetuesit dyshojnë se këto dokumente janë përdorur për të lehtësuar lëvizjet e tij dhe për të fshehur identitetin.
Pas arrestimit, ai u shoqërua në ambientet e paraburgimit në Durrës, ku do të qëndrojë në pritje të procedurave për ekstradimin drejt Italisë.
Operacioni u realizua në kuadër të skuadrës së përbashkët hetimore të ngritur mes Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Drejtorisë Hetimore Antimafia të Barit.
Operacioni “Ura”, i zhvilluar në maj të vitit 2025 me mbështetjen e Interpolit, Zyrës së Ekspertit të Sigurisë pranë Ambasadës Italiane në Tiranë dhe Policisë së Shtetit, çoi në ekzekutimin e 52 urdhërarresteve ndaj personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe vepra të tjera penale të lidhura me krimin e organizuar.
Në të njëjtën kohë u sekuestruan pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në Shqipëri dhe Itali, me një vlerë prej disa milionë eurosh.
Pas identifikimit të disa personave që kishin arritur t’i shmangeshin fazës së parë të operacionit, SPAK dhe autoritetet italiane vijuan hetimet në Durrës, si edhe në disa qytete të Italisë, duke bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e Çobës.
Sipas SPAK, hetimet për këtë çështje vijojnë dhe procedimi penal ndodhet ende në fazën e hetimit paraprak.


