Mbi 42 mijë foto dhe video me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve janë gjetur në një faqe interneti shqiptare. Zbulimi është bërë nga Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt, iSIGURT.al, e cila e cilëson këtë një nga rastet më të rënda që ka hasur deri më sot.
Vetëm gjatë muajit qershor, ekspertët e qendrës zbuluan 42,624 materiale në këtë faqe dhe e raportuan menjëherë rastin te autoritetet policore, duke kërkuar që materialet të hiqen nga interneti dhe të nisin hetimet.
Sipas iSIGURT.al, gjatë verifikimeve rezultoi se të gjitha fotot dhe videot ishin publikuar në një faqe interneti me adresë “.AL”. Sipas qendrës, kjo tregon se edhe faqe të regjistruara në Shqipëri po përdoren për publikimin dhe shpërndarjen e materialeve të paligjshme.


