Policia ka dhënë detaje mbi atentatin e dështuar ndaj një 46 vjeçari këtë të hënë, 26 Gusht në Berat.
Sipas bluve, ngjarja ka ndodhur rreth orës 16.10, në rrugën e fshatit Dushnik, kur është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që drejtohej nga shtetasi A. H, 46 vjeç, banues në Berat.
Sipas policisë, shoferi që ishte shënjestër e plumbave është person me precedent të mëparshëm kriminal. Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, Forcat Operacionale dhe ato Shqiponja të DVP Berat dhe drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat.
Njëkohësisht është ngritur grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë i cili ndodhet në vendngjarje.
Gjithashtu në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier.


