WhatsApp do të prezantojë një funksion të ri që do t’u lejojë përdoruesve të komunikojnë me njëri-tjetrin përmes emrave unikë të përdoruesit (username), pa pasur nevojë të ndajnë numrin e telefonit.
Veçoria e re do të shpërndahet gradualisht gjatë muajve në vijim për rreth 3 miliardë përdoruesit e platformës në mbarë botën. Ndërkohë, që nga kjo javë, disa përdorues kanë mundësi të rezervojnë një emër përdoruesi, edhe pse përdorimi i tij nuk do të jetë i detyrueshëm.
Sipas kompanisë, username-t mund të ndryshohen ose hiqen në çdo moment. Pasi funksioni të jetë aktiv për të gjithë, përdoruesit do të mund të nisin biseda vetëm duke shkëmbyer emrat e përdoruesit, ndërsa opsionet për bllokimin dhe raportimin e kontakteve të padëshiruara do të mbeten të pandryshuara.
Emrat e përdoruesit do të mund të kenë deri në 35 karaktere, por disa emra të lidhur me figura publike apo zyrtarë të njohur nuk do të jenë të disponueshëm për t’u regjistruar nga përdorues të tjerë.
Meta: Më shumë privatësi për përdoruesit
Meta, kompania që zotëron WhatsApp, e cilëson këtë ndryshim si një hap të rëndësishëm për forcimin e privatësisë.
Drejtoresha e produkteve në WhatsApp, Alice Newton-Rex, tha se shumë përdorues kanë kërkuar një mënyrë komunikimi që nuk kërkon ndarjen e numrit të telefonit, veçanërisht në bisedat në grup.
Sipas saj, funksioni i ri u jep përdoruesve më shumë kontroll mbi identitetin me të cilin paraqiten në platformë.
Si mund të rezervohet një username?
Meta njofton se aktivizimi i funksionit do të bëhet në mënyrë graduale dhe përdoruesit do të njoftohen sapo të kenë mundësi të rezervojnë emrin e tyre.
Opsioni do të jetë i disponueshëm në seksionin e cilësimeve të llogarisë ose profilit në aplikacion. Aktualisht, rezervimi nuk mund të kryhet përmes WhatsApp Web apo versionit Desktop.
Për krijuesit e përmbajtjes, bizneset e vogla dhe organizatat do të ofrohet mundësia për të përdorur të njëjtin username që kanë në Instagram ose Facebook. Përdoruesit e tjerë do të mund ta bëjnë këtë vetëm duke lidhur llogaritë përmes Accounts Centre të Meta-s.
Ekspertët: Hap pozitiv, por jo privatësi e plotë
Ekspertët e privatësisë e kanë mirëpritur funksionin e ri, duke theksuar se ai redukton nevojën për ndarjen e numrit të telefonit.
Megjithatë, profesoresha e Universitetit të Oksfordit, Carissa Véliz, vëren se WhatsApp nuk mund të konsiderohet ende një platformë plotësisht miqësore me privatësinë, pasi Meta vazhdon të mbledhë të dhëna të caktuara të përdoruesve për qëllime reklamimi.
WhatsApp thekson se mesazhet private mbrohen nga enkriptimi “end-to-end”, çka do të thotë se përmbajtja e bisedave nuk mund të lexohet nga kompania. Megjithatë, platforma vijon të përpunojë të dhëna të tjera, si informacionet bazë të llogarisë dhe vendndodhjen e përgjithshme, për funksionimin e shërbimeve dhe sistemit të reklamave.


