Magjistari ganez Nana Kwaku Bonsam, i cili u bë viral në rrjetet sociale pas pretendimeve se kishte “mallkuar” sulmuesin anglez Harry Kane, është rikthyer me një tjetër parashikim që ka tërhequr vëmendjen e tifozëve të futbollit.
Bonsam fitoi jehonë pasi deklaroi se kishte ndikuar në formën e Kane, i cili nuk shënoi në sfidën ndaj Ganës, ndërsa më pas gjeti rrugën e rrjetës kundër Panamasë. Megjithatë, nuk ka prova që këto ngjarje të kenë lidhje me pretendimet e tij.
Këtë herë, ai parashikon se Kepi i Gjelbër do të shkaktojë surprizën më të madhe të turneut duke eliminuar Argjentinën e Lionel Messit në fazën e 1/16-ave.
“Kepi i Gjelbër do të eliminojë kampionët në fuqi të botës, Argjentinën”, është shprehur ai.
Magjistari ganez shkoi edhe më tej në deklaratat e tij, duke pretenduar se “plani astral” ka përcaktuar tashmë fituesin e Kupës së Botës 2026.
Sipas Bonsam, trofeu do t’i takojë Portugalisë së Cristiano Ronaldos, një parashikim që ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Nëse këto deklarata do të rezultojnë të sakta apo jo, mbetet për t’u parë në fushën e lojës, ndërsa deri tani ato mbeten vetëm pretendime të pambështetura të magjistarit ganez.


