Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, ka vlerësuar progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar se vendi ka përmbushur standardet e ndërmjetme për grupkapitullin e çështjeve themelore dhe ka marrë një vlerësim pozitiv për raportin IBAR.
Përmes një postimi në platformën X, Kos u shpreh se presidenca qipriote e Këshillit të Bashkimit Europian i ka dhënë një shtysë të rëndësishme procesit të zgjerimit të bllokut.
“Presidenca qipriote e Këshillit të BE-së i ka dhënë një impuls shumë të fortë momentit të zgjerimit të Bashkimit Europian”, shkroi ajo.
Komisionerja evidentoi gjithashtu zhvillimet e fundit në procesin e anëtarësimit të vendeve kandidate, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe u hapën dhjetë kapituj negociues me Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa Mali i Zi mbylli katër kapituj të tjerë.
Sa i përket Shqipërisë, Kos nënvizoi se përmbushja e standardeve të ndërmjetme për grupkapitullin “Themeloret” i hap rrugën fazës së mbylljes së kapitujve të negociatave.
“Shqipëria përmbushi standardet e ndërmjetme për grupkapitullin e Themeloreve dhe së shpejti do të fillojë procesin e mbylljes së kapitujve”, u shpreh ajo.
Në përfundim të mesazhit të saj, Komisionerja falënderoi presidencën qipriote për punën e bërë gjatë mandatit gjashtëmujor dhe shprehu gatishmërinë për të vijuar bashkëpunimin me presidencën irlandeze të Këshillit të Bashkimit Europian.


