Bisedimet e drejtpërdrejta mes SHBA-së dhe Iranit për t’i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme, të ndërmjetësuara nga Pakistani dhe Katari po zhvillohen në Burgenstok, vendpushimin luksoz të Zvicrës. Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, që kryeson delegacionin e SHBA-së, në fillim të atyre që i cilësoi bisedime historike, u shpreh se shpresonte që Uashingtoni dhe Teherani të mund të rivendosnin marrëdhëniet mes tyre.
“Ky është një takim historik dhe qëllimi është të hapnim një faqe të re për të transformuar marrëdhënien tonë me popullin e Iranit.”- u shpreh Vance nga Burgenstoku. Më herët, numri dy i Shtëpisë së Bardhë tha se një nga prioritetet kryesore të takimit është përparimi në çështjen e programit bërthamor të Iranit. Por lidhur me pasurimin e uraniumit, presidenti iranian Masoud Pezeshkian përsëriti se Teherani nuk do të heqë dorë nga ajo e drejtë.
Nga Zvicra, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit Esmail Baghei tha se konflikti i vazhdueshëm në Liban mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah është në krye të axhendës së samitit, pasi sipas tij nuk mund të ketë marrëveshje me SHBA-në pa armëpushim në Liban.
Ai shtoi se pjesë e bisedimeve janë edhe fondet e ngrira iraniane si dhe lëshimi i licencave për shitjen e naftës së vendit islamik. Ndrkohe lidhur me Ngushticën e Hormuzit, Irani tha do të vazhdojë të qëndrojë e mbyllur, pavarësisht se ushtria amerikane tha se anijet po lundorojnë në rrugën jetike ujore. Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif e përshëndeti fillimin e bisedimeve SHBA-Iran në Zvicër si një ditë të mrekullueshme.
Katari, vendi tjetër ndërmjetëse, tha se shpresonte që takimet të çonin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme që adresonte të gjitha aspektet e mbuluara nga Memorandumi i Mirëkuptimit, duke iu referuar një marrëveshjeje të nënshkruar nga presidentët Trump dhe Pezeshkian të mërkurën. Mediat ndërkombëtare raportuan më herët se takimet e nivelit të lartë pritet të pasohen ditët në vijim nga bisedime mes ekipeve teknike të dy vendeve.


