Një aksident fatal është regjistruar mbrëmjen e djeshme në aksin rrugor Lushnjë–Rrogozhinë, pranë vendit të njohur si Ura e Rrogozhinës, ku ka humbur jetën një 37-vjeçar.
Viktima është identifikuar si Taulant Veliu, i cili po lëvizte me biçikletë në krahun e kundërt të qarkullimit.
Sipas hetimeve paraprake dhe dëshmive të mbledhura në vendngjarje, fillimisht biçikleta është përplasur me pasqyrën e një automjeti në lëvizje. Si pasojë e goditjes, 37-vjeçari është spostuar në mes të rrugës, ku më pas është përplasur nga një automjet tjetër tip “Benz”.
Për shkak të forcës së përplasjes, viktima është tërhequr zvarrë për disa metra, duke humbur jetën menjëherë në vendngjarje.
Policia e Lushnjës ka shoqëruar për veprime të mëtejshme hetimore dy drejtuesit e mjeteve të përfshira në aksident, ndërsa vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.


