Kryeministri Edi Rama ka komentuar reagimet dhe protestat kundër projektit të investimit në Zvërnec, duke deklaruar se vëmendja ndërkombëtare nuk erdhi për shkak të shqetësimeve për Nartën, por për shkak të përfshirjes së emrit të Jared Kushner dhe lidhjes së tij familjare me presidentin amerikan Donald Trump.
Gjatë takimit të zgjeruar të grupit parlamentar socialist, Rama tha se protestat krijuan një jehonë të madhe në rrjetet sociale dhe bashkuan kundërshtarët politikë me një valë kritikash online kundër qeverisë.
“Bota nuk u zgjua një mëngjes e alarmuar për fatin e Nartës apo të flamingove. U zgjua prej emrit të Jared Kushner dhe sigurisht prej hijes së vjehrrit të tij, Donald Trump”, u shpreh kryeministri.
Sipas Ramës, debati lokal u shndërrua brenda pak ditësh në një çështje globale në platformat digjitale, ku miliona njerëz që nuk dinin as vendndodhjen e Zvërnecit, krijuan qëndrime të forta mbi projektin dhe zhvillimet që e shoqëruan atë.
Kreu i qeverisë argumentoi se po të kishte ndodhur një situatë e tillë dhjetë vite më parë, ajo do të kishte mbetur një debat i brendshëm shqiptar, pa ndikim ndërkombëtar. Ai theksoi se sot rrjetet sociale dhe komunikimi global e transformojnë me shpejtësi çdo ngjarje lokale në një temë diskutimi ndërkombëtar.
Rama kujtoi gjithashtu se në të kaluarën, sipas tij, zona e Nartës ishte përballur me probleme më të rënda mjedisore, përfshirë gjuetinë e pakontrolluar të shpendëve, pa tërhequr vëmendjen e opinionit publik ndërkombëtar.
Deklaratat e kryeministrit vijnë pas javësh debatesh dhe protestash lidhur me projektin e investimit në Zvërnec, një çështje që ka nxitur reagime të forta nga aktivistë mjedisorë, opozita dhe grupe të ndryshme të shoqërisë civile.


