Një nga familjet më të njohura të muzikës shqiptare ka përjetuar një moment të veçantë gëzimi, pasi Agnesa Behluli ka kurorëzuar dashurinë e saj me Lauratin në një ceremoni festive mes familjarëve, miqve dhe të ftuarve të shumtë.
Lajmi është bërë publik edhe nga Ramush Haradinaj, i cili përmes një postimi në Facebook ndau urimet e tij për çiftin e ri dhe familjet që festuan këtë ngjarje të rëndësishme.
“Sonte me Anitën, bacën Rifat e shumë miq ndamë momente të bukura në gazmendin e familjeve Behluli dhe Shatri. Agnesa, vajza e miqve të mi, Hajrushit dhe Shkurtes, lidhi fatin e jetës me Lauratin. Çiftit të ri i uroj nga zemra jetë të lumtur, të mbushur me dashuri dhe mbarësi gjatë gjithë jetës. Urime familjeve Behluli dhe Shatri për këtë gëzim të madh!”, shkroi Haradinaj.

Në këtë ditë të veçantë, familja e artistes së mirënjohur Shkurte Fejza ndau emocionet e një kapitulli të ri në jetën e vajzës së saj, ndërsa atmosfera festive u shoqërua me urime dhe momente të paharrueshme.
Mes të ftuarve që morën pjesë në ceremoninë e martesës ishte edhe Remzie Osmani, si dhe shumë figura të tjera të njohura nga jeta publike dhe artistike.

Martesa e Agnesës dhe Lauratit shënon një moment të rëndësishëm për familjet Behluli dhe Shatri, të cilat festuan së bashku këtë ngjarje të lumtur mes dashurisë, muzikës dhe miqësisë.


