Brazili reagoi në mënyrën më të mirë pas hapit fals në ndeshjen hapëse, duke mposhtur Haitin me rezultatin e pastër 3-0 dhe duke marrë fitoren e parë në Botërorin 2026. Suksesi i arritur në Philadelphia e ngjit skuadrën e Carlo Ancelottit në krye të Grupit C dhe e afron ndjeshëm me kualifikimin në fazën me eliminim direkt.
“Seleçao” dominoi takimin që nga minutat e para dhe mendoi se kishte gjetur golin e avantazhit me Raphinhan, por tentativa e tij u anulua për pozicion jashtë loje. Megjithatë, epërsia nuk vonoi. Në minutën e 23-të, Matheus Cunha përfitoi nga një top i kthyer nga portieri Johny Placide pas goditjes së Vinicius Junior dhe e dërgoi në rrjetë për 1-0.
Sulmuesi brazilian realizoi edhe golin e dytë personal në minutën e 36-të. Pas një asisti të shkëlqyer nga Vinicius, Cunha depërtoi në zonë dhe me një goditje të fuqishme mposhti sërish portierin haitian, duke dyfishuar avantazhin e ekipit të tij.
Pak para pushimit erdhi edhe goli i tretë. Vinicius Junior kurorëzoi një paraqitje të shkëlqyer duke shfrytëzuar hapësirat në mbrojtjen kundërshtare dhe duke vulosur rezultatin 3-0 në minutat shtesë të pjesës së parë.
Lajmi i vetëm negativ për brazilianët ishte dëmtimi i Raphinhas, i cili u detyrua të largohej nga fusha para përfundimit të pjesës së parë.
Në pjesën e dytë, Haiti tentoi të reagojë dhe iu afrua golit me Ricardo Adé, por portieri Alisson Becker u tregua i vëmendshëm. Në krahun tjetër, Endrick gjeti rrugën e rrjetës, por goli i tij u anulua për pozicion jashtë loje.
Me këtë fitore, Brazili ngjitet në kuotën e katër pikëve, po aq sa Maroku, dhe do të luajë ndeshjen vendimtare për kualifikim ndaj Skocisë. Haiti, ndërkohë, mbetet pa pikë dhe eliminohet matematikisht nga Botërori.
Rezultati:
Brazili 3-0 Haiti
Golashënuesit:
Matheus Cunha 23’, 36’
Vinicius Junior 45+3’


