Një javë pasi fitoi çmimin e “Librit më të mirë për fëmijë” në Panairin e Librit Shqip “Shkupi 2026” në Maqedoninë e Veriut, “Sekreti i fshehur në libra” hyn në ribotim. Libri i më i ri i shkrimtares së njohur Rovena Rrozhani u botua për herë të parë në nëntor të vitit të kaluar dhe që në ditët e para u mirëprit nga lexuesit e vegjël.
Vetë shkrimtarja Rovena Rrozhani ka ndarë lajmin e ribotimit në faqen e saj sociale duke shkruar:”Zemra mal!Faleminderit lexuesve që e bënë pjesë të bibliotekave të tyre. Ata janë frymëzimi për libra të rinj”.
Botimi është një përmbledhje rrëfenjash dhe një poezie që ngërthen trajtimin e një sërë temash të rëndësishme për lexuesit e rinj si: libri, miqësia, mjedisi, emocionet e ndryshme, besimi në vete dhe në ëndrrat etj.
Në panairin e Shkupit, libri u vlerësua nga juria, e kryesuar nga studiuesi i njohur Ali Aliu, si botimi më i mirë i vitit 2025 mes të gjitha botimeve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, me motivacionin “Për pranëvënien e lojës me dijen, e prozës me poezinë, si një pasqyrë ku fëmijët zbulojnë botën dhe veten”.
“Sekreti i fshehur në libra” ka marrë vlerësime që në ditët e para të qarkullimit në librari. Studiuesi dhe shkrimtari i njohur për fëmijë, Xhahid Bushati shkruan ndër të tjera se: “Sekreti i fshehur në libra”, brenda faqeve të tij e fsheh përherë një “sekret”, duke përcjellë motivin e librit si vend i çudive dhe i dijes. Përmes kësaj ideje qendrore, autorja sjell elemente të reja në letërsinë shqipe: diversitet në formë (rrëfenja + poezi), qasje aktive ndaj lexuesit, motivin e librave si “sekret”, si dhe të një stili të rizbuluar për fëmijët që jetojnë në një epokë digjitale. E për të gjitha këto, rrëfenjat e autores karakterizohen nga ndërthurja e realitetit të fëmijërisë me fantazinë, përdorimin e personazheve të njohur nga fëmijët, dhe gjuhën artistike që nxit fantazinë dhe mendimin…”
Në një këndvështrim psikologjik që vjen Prof, asc, Blerta Bodinaku, theksohet se libri u tregon fëmijëve “si të njohin ndjenjat dhe t’i emërtojnë ato, t’i përballojnë dhe t’i shndërrojnë në përvojë ndërtuese.” Bodinaku thekson se “libri është një urë e vogël dashurie që lidh botën e të rriturve me atë të fëmijëve, ku emocionet mësohen, ndahen dhe marrin formë”.
“Është e dallueshme se tashmë Rovena Rrozhani duhet konsideruar si një zë i afirmuar në këtë lloj letrar. Duke pasur parasysh edhe diskutimet (në kuadrin e absurdit për mua), që bëhen “Nëse ekziston Letërsia për Fëmijë te ne sot”, librat e Rrovena Rrozhanit do të përbënin një korpus dinjitoz për t’u marrë parasysh”, thekson në analizën kritike, studiuesja Prof, asc, Albana Deda.


