Autoriteti i Aviacionit Civil ka njoftuar vendosjen e një kufizimi të përkohshëm të fluturimeve me dronë mbi zonën e Pallatit të Kongreseve.
Sipas njoftimit zyrtar të Autoritetit të Aviacionit Civil, masa është marrë me kërkesë të autoriteteve të sigurisë dhe në bashkëpunim me Albcontrol, në kuadër të aktiviteteve për festimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Mësohet se ndalimi do të jetë në fuqi më 17 qershor 2026, nga ora 18:00 deri në 21:00, në një perimetër prej 150 metrash nga qendra e Pallatit të Kongreseve dhe në një lartësi deri në 120 metra mbi nivelin e detit.
Pra, thënë më qartësisht, për këtë interval kohor, nuk do të lejohet operimi i mjeteve ajrore pa pilot (dronëve) brenda zonës së përcaktuar.
Kjo masë ka për qëllim garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të aktivitetit festiv dhe do të publikohet përmes NOTAM-it përkatës.
Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit, në këtë hapësirë janë përdorur dronë, për të filmuar nga lartë protestat qytetare që po zhvillohen kundër investimit në Zvërnec.


