Një autobus i një agjencie turistike nga Kosova ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal pasditen e së shtunës në zonën e Ishull-Shëngjinit.
Sipas informacioneve paraprake, mjeti po kthehej nga Shëngjini kur drejtuesi ka zgjedhur të përdorë një rrugë dytësore të ngushtë për të shmangur trafikun. Në një moment, autobusi është përballur me një automjet që po lëvizte në kahun e kundërt, duke e detyruar shoferin të devijojë për të shmangur përplasjen.
Si pasojë e manovrës, autobusi ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal.
Fatmirësisht, në mjet nuk ndodheshin turistë, por vetëm pjesëtarë të stafit të agjencisë turistike, të cilët kanë dalë menjëherë pa probleme nga autobusi.
Nga ngjarja nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa janë regjistruar vetëm dëme materiale. Autoritetet po verifikojnë rrethanat e aksidentit.


