Përgatitjet e përfaqësueses së Anglisë për Kupën e Botës 2026 janë ndërprerë nga një incident sigurie, pasi pajisje të ekipit janë vjedhur gjatë transportit drejt qendrës së stërvitjes në Kansas Siti, SHBA.
Sipas raportimeve të BBC-së, mes sendeve të zhdukura përfshihen topa dhe këpucë futbolli, të cilat ndodheshin në automjete të thyer gjatë transferimit të materialeve në Swope Soccer Village, ku skuadra do të zhvillojë stërvitjet.
Shoqata Angleze e Futbollit ka konfirmuar se ka ndodhur një incident, por nuk ka dhënë ende detaje të mëtejshme mbi vlerën e dëmit apo rrethanat e plota të ngjarjes.
Ndërkohë, Departamenti i Policisë së Kansas Siti ka bërë të ditur se po heton një vjedhje të mundshme të pajisjeve nga një automjet i ekipit, ndërsa sipas mediave britanike, dy persona janë arrestuar në lidhje me rastin.
Pavarësisht incidentit, ekipi i drejtuar nga Thomas Tuchel pritet të zhvillojë seancën e parë stërvitore në Swope Soccer Village sipas planit, pas zhvendosjes nga kampi i tyre në Florida.
Anglia do të nisë fushatën e saj në Botërorin 2026 kundër Kroacisë, përpara përballjeve me Ganën dhe Panamanë në Grupin L.

